Galaktika Poetike ATUNIS
Galaktika Poetike ATUNIS

Galaktika Poetike ATUNIS
 
ForumPortaliRegjistrohuidentifikimi
Kërko
 
 

Display results as :
 
Rechercher Advanced Search
Tema Fundit
February 2017
MonTueWedThuFriSatSun
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728     
CalendarCalendar
Statistikat
Forumi ka 50 anëtarë të regjistruar
Anëtari më i ri Natasha Limaj

Anëtarët e këtij forumi kanë postuar 737 artikuj v 634 temat
Sondazh

Share | 
 

 DISA MENDIME PËR POEZINË E GENTJAN BANAJT

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Agron Shele
Admin


Male

Libra Join date : 09/01/2012
Age : 44
Location : Albania

MesazhTitulli: DISA MENDIME PËR POEZINË E GENTJAN BANAJT   Fri May 11, 2012 10:15 am



DISA MENDIME PËR POEZINË E GENTJAN BANAJT
(rreth vëllimit poetik: “Ikona të Thyera”, 2008.)


Nga ANDI MEÇAJ

1. (ab imo pectore*)

Në librin poetik të Gentjan Banajt “Ikona të Thyera” është edhe poezia “Fëmijë të lagjes sime”:

Luanin të qeshur ata fëmijë
Vraponin
Në rrugicën e ngushtë të shtëpisë time të vjetër.

Ishte më e gjerë kjo rrugicë dhe
S’kishte kufij me mure të larta sa ditët e fëmijërisë time.

Këta fëmijë vrapojnë mbi një karrocë bebesh.

Atje është dhe buzëqeshja jote e dlirë dashuria ime
Dhe s’kishte kufij dhe mure
Të gjerë sa humbja dhe ndarja jonë.

Ç’kam një dëshirë t’i shtyj të gjithë këta djem
Me një klithmë trumcaku mbi këtë lojë
Të mbetur si relike e fjalëve të tua
Kur unë me pantallona të shkurtra pasditesh
Dëgjoja qeshjen dhe thirrjen tënde... “shoku im, shoku im”,

Por kam frikë se do ta vras lojën
Me shpatullat prej burri
E duart e mbushura me lot nga malli për ty.

S’kishte gardhe dhe kufij midis shtëpive.

Në muret e ronitur të shtëpisë së vjetër
Me një gurëz pragu e kam gdhendur emrin tënd
Dhe aromën tënde në këtë kopsht të vogël ëndrrash
E kam ruajtur
Dhe përqafimin tënd
kur ti rrije si një verore në qafën time.

Dhe s’kishte mure fëmijëria...
Të larta sa ky shtat i trishtë burri.

Ja dhe dera ku është shkruajtur dita e fundit.

Tani është harruar, bashkë me fjalët e gjyshes
“mos e hap atë derë bir... të ikën fëmijëria, birooo”.

Por ika unë prej asaj dere dhe sërish nuk guxoj ta prek
...se ikin këta fëmijë që vrapojnë
ikën dhe ti
dhe fjalët e tua
“shoku im... shoku im”
e bëhem sërish ky trishtim,
I gjerë sa mungesa jote,
I lartë sa ky mur që nuk më lë të të shoh.

Po kalbet kjo derë,
Ndoshta nga lotët
Dhe ca nga flokët e tu të verdhë
Kanë mbetur si ditët tona
Në të çarat e saj.

Dhe e shkruaj përsëri emrin tënd dhe emrin tim
Në një gur të djegur...
...e nuk rritem kurrë për ty,
Moj shtëpiza ime e vjetër!

Gentjan Banaj në këtë poezi gjithë nota lirike e melankolike, si një “SY” i sprovuar e mjeshtëror, na kap përdore, na çon kah asaj kthine, jo të errët, por diellore, jo të harruar, por të fshehur me kujdes, jo të pluhurosur, por të mirëmbajtur në kujtesë, FËMIJËRISË.
Fëmijëria na paraqitet apo shfaqet herë si: “Rrugica e ngushtë e shtëpisë sime të vjetër”, “Pantallona të shkurtra pasditesh”, e herë me: “Rrije si verore në qafën time”, “Në muret e ronitur të shtëpisë së vjetër” e herë në paralajmërimin e gjyshes (të gjitha gjysheve të botës), “Mos e hap atë derë bir... të ikën fëmijëria, birooo!”
Dhe ajo (FËMIJËRIA) e këmbyer në dritë na del sysh përmes detajeve aq bukur të spikatura prej poetit G.Banaj, në formë lodre, të qeshure, regëtimash të para të zemrës, britmash të hareshme të shoqeve e shokëve, duke na hipur sërish mbi ato karrot e sajuara me kushineta, apo duke na rikthyer të luajmë me kaçolet e shtypura të birrave, të ngulim e të hedhim pinca** në baltë, të luajmë kukafshehtas në lulishten para pallatit apo të “luftojmë” me shpata e shigjeta me rrugicën përkarshi e të sakatojmë sërish gjunjët tanë të vegjël në “futbollin e lagjes”.
Ndihet një nostalgji e magjishme, një fluiditet, një pafajësi që i rri mbi “kokë” kësaj poezie, por aq sa të ngazëllen e të përthith me hirin e bukurisë së saj, aq edhe të ngashëren, të fut në një melankoli, por s’do ta quaja një melankoli trishte, por një trisht “të mirëdashur’ gati gati shpresëndjellës, se dikur, diku, kemi qenë ca krijesa të gëzuara, pa vramendje për atë që do të vijë, plot hare dhe mbi të gjitha e mbi të gjitha, KEMI QENË DIELL, NJË DIELL RRËZËLLITËS, që me dritën e tij, na e ngroh shpirtin e fytyrën sa herë e kujtojmë atë (FËMIJËRINË).

2.(veritas odium parit***)

Ndër poezitë e tjera të bukura të këtij libri mund të përmend disa, por për të mos ia hequr kërshërinë lexuesit, po citoj: TRIPTIK PA KOKË (Me ato vargje aq mbresëlënëse e metafizike: .../kasapi puth gurin pas vdekjes /qengji qesh pas vdekjes... /); PA TY (Me atë vetmi të sendërtuar si sende që bien: .../Në heshtjen time /sendet e tua /Bien si copa të flakta /që zhurisin mall... /); IKJE (Me atë “perëndim” aq mallëngjyes e nostalgjik: .../Shoh flokët ku lind dielli /Dhe kuptoj që jam perëndim... /); KUR UNË (Me atë varg aq sendshpirtëzues: .../Një qiri dha shpirt... /); UNË DHE TRËNDAFILI (Me atë të kuqe trëndafili që na hedh rrënjë sa herë presim dikë që e duam: .../Ti ndoshta ke ikur /Por mua më ngacmon e kuqja e trëndafilit /Që i ka rrënjët tek unë... /); ËSHTË AG (Me atë dashuri që shfaqet e konsumohet, por si gjithnjë lë pas pamjaftueshmëri, vetmi në vetëshuarje: .../Është ag, por prapë errësirë. /Ti shfaqesh nazike /Dhe sfumohesh vetmi... /); IKONA TË THYERA (Me atë blicin e jetës sonë që herë herë na ndriçon e herë herë na lë në errësirë: .../Të pashë në blicin e një kohe /Dhe ti më pe si bust të anuar /Tek zgjasnim duart marramendsh /si arna të kohës sonë të arnuar... /); TEMPULL (Mjaftojnë pak metra katror /Për ta parë të ngujuar, /Brenda katër faqesh /Ëndrrën. /Tatuazh mbi mure! /); EMBLEMË (.../Gur që digjet qiri. /Gur-njeri,... /); KUR JAM ME TY (.../Ëndërr e bukur pas syve të tu /Më thotë ik, më lodhe, mjaft /E prej sysh të rrjedh si lot /Edhe ëndrra bëhet ankth. /) e shumë të tjera...

3.(ubi mel ibi apes****)

Poezia e Gentian Banajt (1974), është herë lirike, herë meditative e herë filozofike. Ajo lëndën poetike e mban në baraspeshë të ndjenjës e të mendimit filozofik duke mos rënduar as nga njëri e as nga tjetri krah. Metafora dhe simbolika përdoren në shërbim të asaj që do të shprehë autori, pa shpërdorim dhe duke ruajtur gjithnjë gjuhën poetike të kthjellët e me domethënie të reja.
Ky mendoj se duhet të jetë funksioni i poezisë, të ndërtojë imazhe dhe jo t’i errësojë ato. Edhe kur poezia e tij shkruhet me varg të rregullt, ajo na vjen me ngjyra të kohës, sepse brenda vetë poetit është ngjizur edhe tradita edhe përditshmëria me përjetimet e saj moderne.
Tipar dallues i kësaj poezie është se në thellësi të vargëzimit krijohet një amalgamë mes së kaluarës sonë poetike dhe të ardhmes (moderniste), e cila na shfaqet mes përthyerjesh, realitetesh dhe “historish të vogla” njerëzore që na krijojnë befasi dhe emocione estetike të veçanta.
Poeti Gentjan Banaj, vjen me librin e tij të dytë poetik pas dhjetë vjetësh.
A ia ka vlejtur kjo pritje kaq e gjatë?
Mendoj se ia ka vlejtur për dy arsye: 1) për vetë autorin që u shfaq në letrat shqipe në vigjilje të mijëvjeçarit të ri si një shpresë e re avangardë, ku ai, si dhe ne të brezit të tij, nuk e përjetuam si krijues atë periudhë kohore, se bashkë me lirinë e të shprehurit prej ndrydhjes e ndalimit të regjimit komunist, vërshuan edhe libra (sa letër e pemë të shkuara dëm!!!), shumë lumenj librash, shkruar nga njerëz që s’kishin botuar, që s’kishin folur, që bile as që kishin arritur të radhisnin aq rreshta sa të mundnin të mbushnin një faqe e jo më të botonin lloj lloj vëllimesh, sa t’i mbulonin kokë e këmbë, por ia ka vlejtur edhe për një arsye tjetër më të fortë se: 2) është një libër që ia vlen ta lexosh, e ta rilexosh. Na duhen të tillë, të na shërbejnë si shtylla orientuese në këtë larushësi antivlerash poetike e prozaike, që na serviren kudo: në TV, në librari, në rrugë, në kafene, në promovime, ku nuk ndihesh mirë mes lavdeve të pamerituara drejtuar bejtexhiut të radhës.
Dhe të gjithë ne të brezit tonë na duhet ta mbrojmë poezinë e vërtetë siç ka filluar të bëjë edhe Gentjan Banaj.
Libri ka rreth 90 poezi. Është nga të paktët vëllime poetike që do të mund të udhëtojë drejt zemrave të lexuesit poezidashës shqiptar, bile do të ankorohet e do të hedhë spirancën aty për një kohë që s’njeh kohë.
Poeti Gentjan Banaj është një vlerë në këto kohëra të këqija për “VLERAT”, ku vlerësohen fasadat, pasuritë, sa pehlivan je, sa “të fortë” të ndjekin pas, sa miq politikanë ke, ç’kostum ke veshur a ç’makinë nget, pra besoj fort se ky poet sjell atë lloj poezie cilësore e bashkëkohore që ishte e pakët, jo se para viteve ’90-të s’bëhej poezi cilësore, por sepse u hoqën ato ndrydhje e barriera censuruese. Duke u bazuar në traditën më të mirë poetike shqiptare e bashkëkohore dhe në stilin e tij të veçantë, presim që Gentjan Banaj të na dhurojë emocione të reja poetike.

15/12/2011

---------------------------------------------------------------------------
ab imo pectore* - (lat. me çiltërsi, me zemër të hapur.)
Pinca** - (lodër e sajuar, një copë dru i vogël me një gozhdë në majë, që hidhej duke e ngulur në baltë.)
veritas odium parit*** - (lat. e vërteta lind urrejtje.)
ubi mel ibi apes**** - (lat. ku ka mjaltë atje janë bletët.)

_________________
Galaktika Poetike "ATUNIS"
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://agron-shele.webs.com
 
DISA MENDIME PËR POEZINË E GENTJAN BANAJT
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» KRISTAQ TURTULLI:Disa mendime rreth krijimtarisë së këngëtarit të dashurisë Përparim Hysi
» Disa nga vetite dhe vlerat e Ftoit
» DISA ASPEKTE TË EPIKËS HISTORIKE NË KËNGËT POPULLORE SHQIPTARE
» Tekste këngësh të vjetra
» DISA PIKTURA NGA BEXHET PULLEJA DHE PREZENTIMI I AUTORIT

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Galaktika Poetike ATUNIS  :: Kumte dhe Ese-
Kërce tek: