Poezi nga Eliverta (Anelli) KaninaLE TË DUHEMI!Nuk e di si erdhëm bashkë deri këtu
Ti pas meje duke u mbajtur si pas fijes së barit
Dhe unë me sumbulla lotësh sajdis veten
E lumtur, para teje, pa ia plasur të qarit.
Më tepër të lumtur nga të qenurit të dashur
Më tepër të dashur nga të qenurit të lumtur
Habisë së njerëzve me habi u përgjigjemi
Edhe si të marrë, më të mençur jemi dukur.
Nuk e di si mbërritëm në një finish pa start
Pa ambicie atletësh, pa asnjëlloj motivi
Unë e jotja kam qenë qyshkur kam lindur
Ti gjithmonë duket se ke qenë i imi.
Pa dashurinë, të njëri tjetrit s'do ishim
asgjëje s'do ti dinim kuptimin e vërtetë
Ëndrrave të abortuara, mungesave që dhembin
Dhimbjeve që kurrë nuk mungojnë në këtë jetë.
Mundohem të kuptoj këto punët e Zotit
Pse duhemi ende bashkë, dua të gjej motivin
E pazonja jam të end pëlhura arsyesh
Njëmijë e një të tilla mëndjen më mbështjellin.
Por jeta është e shkurtër për tu menduar gjatë
Se të më kesh, as ty s'të duhen magji superfuqie
Na duhet çastit ti jepemi, pa kthyer kokën pas
Le të duhemi! Çdo gjë ndodh për një arsye...