Galaktika Poetike ATUNIS
Galaktika Poetike ATUNIS

Galaktika Poetike ATUNIS
 
ForumPortaliRegjistrohuidentifikimi
Kërko
 
 

Display results as :
 
Rechercher Advanced Search
Tema Fundit
November 2017
MonTueWedThuFriSatSun
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
CalendarCalendar
Statistikat
Forumi ka 52 anëtarë të regjistruar
Anëtari më i ri Monika Molloholli

Anëtarët e këtij forumi kanë postuar 740 artikuj v 637 temat
Sondazh

Share | 
 

  LUSPAT E DASHURISË KALTËROSHE ( Adelina Dardha)

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Agron Shele
Admin
avatar

Male

Libra Join date : 09/01/2012
Age : 45
Location : Albania

MesazhTitulli: LUSPAT E DASHURISË KALTËROSHE ( Adelina Dardha)   Tue Jan 10, 2012 8:25 am

LUSPAT E DASHURISË KALTËROSHE ( Adelina Dardha)

nda Vullnet Mato



Pesë bozhure pranverore do t’i quaja këto pesë poezi që përbëjnë ciklin poetik të zonjës ADELINA DARDHA. Dua të theksoj qysh në fillim, se kjo tufë erëkëndshme me krijime të reja poetike, tregon më së miri se kemi të bëjmë me një talent femëror të spikatur, me intelekt të zhvilluar dhe fantazi befasuese, që duke shpalosur botën e saj komplekse shpirtërore, të tërheq vëmendjen çuditërisht dhe të krijon ndjesi të fuqishme qysh në leximin e parë.

“…dhimbjet e acarit dimëror, i mblodha një nga një të gjitha te cepi i syrit”. Tingëllimi poetik i këtij vargu që fillon të përshkruaj dhimbjen e pafajësisë me një metaforë kaq të dhimbshme, te poezia “NUK KAM FAJ”, të krijon menjëherë ndjesinë tronditëse, se në cepin e syrit të bukur femëror, është gati të shpërthejë burimi i ngrirë i lotëve të kristaltë. Dhe më poshtë gjendja shpirtërore e heroit lirik merr përmasa hapësinore dramatike: “Jashtë fryn erë, dritaret veç dridhen, nga shpirti i etur, ku ka çelur pafajsia…”

Por tensioni shpirtëror zbutet pak nga pak te vargjet më tej, me përshkrimin krahasues, se heroina e kësaj poezie është e destinuar nga natyra për lajtmotivin e dashurisë qysh në lindje, duke qenë e formësuar edhe me lirizmin e ngrohtë të paraqitjes figurative: “ Si selvi e bukur, në të pastërtën natyrë, kam lëshuar rrënjët e mia në jetë” dhe në vijim, pasioni i saj për të fituar dashurinë që i fle në gji, shprehet me ndjenja të përmasave kozmike: “zogjtë e vegjël në të bardhin gji flenë, folenë ua ngroh me dashuri qiellore.” Pastaj ajo i drejtohet vet objektit qiellor me pyetjen retorike: “ I lutem hënës së fshehur pas natës, kush bëri magji tek dega e mollës ?”Kjo pyetje, ka tonalitet akuzues aq të fuqishëm, sa të krijon një emocion të heshtur, si një jehonë që të sillet për disa çaste përbrenda vetes duke i mbajtur sytë te hëna pa gojë.

Pra, në pesë strofa të kësaj poezie kalohet nga peizazhi dimëror i shpirtit të tronditur, deri te pranvera e lulëzuar e mollës, ku dikush ka përdorur misticizmin e vet mbi fatin e dashurisë së saj të sapoçelur, për të cilën ajo është krejt e pafajshme.

Në një sfond tjetër dhe krejt ndryshe dashuria merr jetë te poezia ”JAM SIRENA E DETIT”. Autorja e shndërron subjektin e lirizmit të saj në një sirenë të bukur detare, e cila vjen nëpër dallgë të takojë të dashurin e zemrës. “ Sirena jote jam, si nëpër valë buzëmbrëmjeve vij bregthyer/shkëmbinjve të heshtur të të gjej” Ardhja e saj ka oshtimën e ëmbël të nimfave të dashurisë. Dhe në çastin kulmor, “Shpirti shkrihet nga përvëlimi i puthjeve me sytë e prushtë plot zjarr“ Pastaj në këtë shkrirje fantastike dallgësh, “Fustani bie nga luspat e dashurisë kaltëroshe” Elokuenca e kësaj poeteshe kapërcen kufijtë papritmas dhe fantazia e saj na shpie tek hëna lart në qiell: “Hëna xhelozohet si një grua që nuk e shijon dot “ ëmbëlsinë e kësaj dashurie te rrallë që ndodh në kaltërsinë e brigjeve detarë. Këndvështrimi i autores ndryshon kahje njësoj si objektivi i një kamere të shpejtë: “ Ëndrra fluturon përtej sfondit blu, zgjat duart harbuar dhe të prek buzëqeshjen..” Kështu, nga një pozicion femëror sa soditës aq dhe reflektues, me një ndjeshmëri të hollë lirike e tepër depërtuese, kjo poeteshe krijon disa imazhe ndjenjash mjaft të imta: “Buzët e tua ledhatohen heshtur…” dhe “ ky refren nëpër flokë më pëshpërit… më shtyn ngadalë si lule pranverore” Dhe këto çaste aq të ëmbla dashurie ajo i mbyll me vargun plot ngarkesë emocionale: “ Vibrojnë fjalët e pathëna në telat e ndjenjave” të cilat në këtë simfoni jetësore me nota të pashkruara pëshpërisin në pentagramin e dashurisë fjalët e ndërsjella midis të dashuruarve: “Më do, të dua, e do të duhemi !” njësoj si cicërimat e dy zogjve mbi shkëmbinjtë e thepisur të kaltërsisë detare. Kësisoj, me një varg metaforash të lidhura bukur e me një unitet logjik të pastër, arsenali i mjeteve stilistikore të saj, krijon të tërën brenda pak vargjeve.

Autoportretin e një heroine tjetër lirike, autorja Adelina Dardha e pikturon me penelata të shkurtra te poezia “FLUTUROJ”. Këtu kemi të bëjmë me një mjelmë të bardhë, e cila fluturon: “Brishtësive të thyeshme të jetës” Dhe në këtë mjedis delikat, krahët e saj lartësohen duke harruar dhimbjet e tretura nëpër stinë. Dhimbja këtu merr trajta të prekshme, duke u mbuluar me kore të vyshkura si gjethet e vjeshtës. Më tej ajo gjurmon qiellin e saj të errët ku: “Errësira e syrit e tret nëpër natën e heshtur ku flenë yjet” Dhe në fund optimizmi i saj gjen dritaren e dritës: “Agimi i ri më përshëndet nga larg, më dhuron bukuritë e dit-netëve të mia” Në të cilat ajo ndjen edhe përtëritjen e saj shpirtërore: “I prek me zemër dhe kaltërohem,/si një mjelme ëmbëlsisht dashurohem/e fluturoj, fluturoj, fluturoj !” Pra, e gjithë poezia krijon formën e vet tek një mjelmë, e cila shpupurit krahët me sqepin e saj dhe pasi shijon ëmbëlsinë e dashurisë, fluturon tutje, në horizontin e shpresës.

Te poezia “VJESHTË”, poetesha Adelina Dardha, me syrin e mprehtë të një vëzhguesje të kujdesshme, përshkruan mjedisin plot ngjyra të një Central Parku të mbuluar nga gjethet dhe bukuria e ngjyrimeve vjeshtore. “U nisa mysafire nëpër agimin e zverdhur” thotë metafora e saj duke shëtitur shtigjet e këtij mjedisi të mbjellë me mjegull ku, “ pemët e lakuriqëzuara nga vjeshta dhe gjethet lëvrijnë nëpër tokë” Më tej, duke u shkrirë me melankolinë vjeshtore te kësaj natyre, edhe ndjesitë e saj dehen nga bukuria mahnitëse, “Kjo ditë kryeneçe më valëvit edhe mua ndjenjat./ Zogjtë cicërojnë këngën e lamtumirës me krahët e vegjël. /Duan të shtegtojnë, kërkojnë pranverën në anën tjetër të ikjes.” Këtu është dhënë shumë bukur shtegtimi i shpendëve para dimrit, jo duke përcaktuar hapësira gjeografike, por me një metaforë poetike të vetme “ana tjetër e ikjes” Mbasi për poezinë, ky shtegtim ka rrugën e vetë të përvitshme dhe nuk ia vlen të përmendë vendbërritjen. Te Central Parku, me pak penelata të krijohet në përfytyrim edhe imazhi i metamorfozës së tij vjeshtore; “Bari si qilim i vjetër, i dalë boje është shtruar poshtë teje, tokën e mban ngrohtë, këmbët tona flenë poshtë tij”, kuptojmë fundosjen mes gjetheve. Rreshtimi i shpejtë i detajeve mjedisore, merr këtu tamam ritmin e penelatave që jep shpejt e shpejt një piktor për të hedhur në telajo bukurinë e këtij peizazhi fundvjeshtor. “Stolat kanë ngrirë, i ftohti u ka hyrë në dhimbje,” Autorja përdor metaforën e dhimbjes, për të mos shprehur fjalën e rëndomtë, palcë. Dhe poezia mbyllet me gatitjen e të gjithë mjedisit “ të nxituar për nusërimin e dëborës” Pastaj një shkrepje e aparatit fotografik për të fiksuar “cepin e një kënge të lënë përgjysmë” për t’i thënë vitit tjetër, që kur të vijë prapë këtu, fotografia do ta tregojë se ajo është rritur në moshë.

Poezia e fundit “URA E VJETËR” përshkruan përmes vargjeve të lirë, nostalgjinë e autores të akumuluar në vite për urën e vjetër të fshatit të saj, së cilës i drejtohet si personifikimit të gjallë të kujtimeve të hershme. “Asnjëherë nuk u ankove për baltën, pluhurin e hedhur si parfum, parvazet si dhëmbë të rënë, /ku ne çamarrokët ngjiteshim si zogjtë “ Është një nga veçantitë kryesore të stilit poetik të Adelina Dardhës, përshkrimi dinamik e me fjalë të kursyera i objekteve dhe mjedisit ku drejton syrin e saj vëzhgues: “Gjethet e shpëndrrave mbledhur poshtë këmbëve të tua me damarë nga çukitja e rosave e patave” Gjithashtu mprehtësisë së syrit të kësaj poeteshe nuk i shpëton asnjë detaj i imët, që i jep bukuri dhe origjinalitet njohës poezisë së saj. Ajo i thotë urës: “Gishtat e tu të ënjtur nga lodhja, bretkosat t’i përkëdhelin netëve pa hënë, /duke kënduar në kor, teksa ti dremisje nëpër gjumë.”Duke sjellë në kujtesë se kjo urë, që ishte krenaria e fshatit fushor, e takimeve të të dashuruarve, ku puthjet përvëloheshin e shkriheshin rrëzë qoshes së saj të drunjtë.Dhe nuk harron t’i ravijëzojë ato: “Puthje stinësh me rrethanor ure” Në fund, poezia mbyllet me vargjet e mallit të autores për këtë urë të vjetruar tashmë: “Është kohë e largët që s’të kam shkelur trupin tënd lakuriq e malli nis të më kthejë moshën time/ si kremastar mbi prevazin tënd të varur.” Ajo kalon së fundi sipër kësaj ure me makinë dhe vë re se në këtë urë të ndërtuar me gjakun e skllevërve; “Pulëbardhat fluturojnë nëpër tela/e flasin gjuhë të huaja nëpër sqepa/ e unë shkruaj në gjuhën time me zemër” Me të cilën lë të kuptohet, se autorja me banim në Amerikë, shkruan për urën e vendlindjes me gjuhën e atdheut të saj që i fle në zemër.

Pra, nga të pesë poezitë e këtij cikli, ajo që bie më tepër në sy e bën më shumë përshtypje, është veçantia e përdorimit tepër funksional të detajit poetik, i cili i jep forcë e jetë të gjithë mjedisit apo objektit ku poezia përqendron vështrimin artistik. Duke krijuar edhe një peizazh shpirtëror që të tërheq vëmendjen e të kënaq shijet artistike. Këto detaje të shumta, plot kolorit e në lëvizje të pandërprerë siç është vet jeta, i gjejmë pothuaj tek të gjitha poezitë e saj me një strukturë ritmike e figurative tejet të këndshme. Ç’ka e bën mjaft interesant dhe krejt origjinal tingëllimin e ngrohtë të kësaj poeteshe me një talent të admirueshëm në shpërthim e sipër, që është për t’u përshëndetur.



VULLNET MATO
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://agron-shele.webs.com
 
LUSPAT E DASHURISË KALTËROSHE ( Adelina Dardha)
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Adelina Dardha: Poezi " E ëmbla ime nënë" Gezuar nënë diten e lindjes sot me 14 Shkurt. Me mall të puth.
» Adelina Dardha: Poezi " Miqesia"
» Ora e dashurisë
» Marifetet që përdorin femrat pë të manipuluar meshkujt dhe shenjat e dashurisë
» Baki Ymeri:MAGJIA E KRISHTËRIMIT DHE DRITA E DASHURISË

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Galaktika Poetike ATUNIS  :: Kumte dhe Ese-
Kërce tek: